Tre muaj mësim dhe shoqërim intensiv e kreativ, dhe produkte artistike të përbashkëta të shkëlqyeshme të nxënësve me përkatësi të ndryshme etnike nga tërë Maqedonia. Ky është rezultati i ciklit të dytë të punëtorive kreative nga Projekti i USAID-it për integrimin ndëretnik në arsim, që u realizua në gjashtë shkolla të zgjedhura nga qytete të ndryshme të vendit. Në ciklin e punëtorive, që mbyllet këto ditë, morën pjesë rreth 25 nxënës nga shkollat e mesme „Dobri Daskallov“ nga Kavadarci, „Orde Çopella“ nga Prilepi, „Lupço Santov“ nga Koçana, „Gostivar“ nga Gostivari, „Shën Klimenti i Ohrit“ nga Ohri dhe „Cvetan Dimov“ nga Shkupi.
Pas mbylljes së punëtorive, secila prej këtyre shkollave në qytetin e vet do të paraqitet me produktin final, të përgatitur nga vetë nxënësit. Në muajt që mbeten deri në fund të këtij viti, në bashkëpunim me komunat do të organizohen ngjarje publike, ku këto produkte kreative do të prezantohen para nxënësve, prindërve dhe arsimtarëve të vetë atyre shkollave. Produktet finale të nxënësve nga punëtoritë kreative përfshijnë më shumë lloje të shprehjes artistike – koncerte, ekspozita fotografish, shfaqje teatrore etj., të cilat i paraqesin vlerat e bashkëjetesës, të integrimit ndëretnik dhe të respektimit të diversitetit.
Punëtoritë kreative, në të cilat nxënësit kanë punuar pa u lodhur tre muaj në grupe të përziera etnike, treguan se kreativiteti dhe loja janë gjuhë universale që i afron të rinjtë, por edhe mjet i shkëlqyeshëm për shoqërim dhe krijimin e miqësive të reja mes nxënësve të përkatësive të ndryshme. Buzëqeshjet në fytyrat e të rinjve dhe entuziazmi i tyre, që ishin pjesë e pashmangshme e të gjitha punëtorive, dëshmuan se kreativiteti dhe arti janë një nga mënyrat më efikase për shembjen e barrierave që ekzistojnë mes tyre.